Një 25-vjeçar dhe bashkëpunëtori i tij kanë rënë në pranga në Tiranë, të akuzuar se po planifikonin të kryenin një atentat.

Sipas Policisë, Jaser Shaba ishte shpallur në kërkim, pasi akuzohej se në janar të vitit 2024, së bashku me të vëllain planifikonin të organizonin një atentat me 2 mina me telekomandë, të programuara për të shpërthyer në distancë. Në atë kohë, plani i tyre u zbulua dhe vëllai përfundoi në pranga.

Shaba ndërkohë arriti të arratisej dhe u ndihmua nga bashkëpunëtori 28-vjeçar për t’u fshehur gjatë gjithë kësaj kohe. Sot, ata janë arrestuar të dy.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Together”, për kapjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Posedonte në bashkëpunim me vëllanë e tij, 2 mina me telekomandë, të programuara për shpërthim në distancë, që dyshohet se do të përdoreshin për ngjarje të rënda kriminale, kapet dhe vihet në pranga 25-vjeçari. Vihet në pranga dhe një 28-vjeçar, që e ndihmonte 25-vjeçarin për t’u fshehur. Sekuestrohen 1 automjet dhe 3 celularë.

Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për kapjen e shtetasve në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Together”.

Gjatë operacionit u kapën në Selitë dhe u vunë në pranga shtetasit:

J. Sh., 25 vjeç, banues në Shkodër, për të cilin Prokuroria ka lëshuar urdhër ndalimi për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Brothers”, i zhvilluar në muajin janar 2024, pasi dyshohet se posedonte në bashkëpunim me vëllanë e tij (i arrestuar), 2 mina me telekomandë, të programuara për shpërthim në distancë, që dyshohet se do të përdoreshin për ngjarje të rënda kriminale;

G. H., 28 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se përkrahte shtetasin J. Sh., duke e ndihmuar të fshihej. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.