Një shqiptar 30-vjeçar u arrestua në Aeroportin e Ciampinos, në Itali, pasi akuzohet për kryerjen e afërsisht 80 vjedhjeve midis viteve 2021 dhe 2024, në provincën e Ravenës.

Hetimi filloi në vitin 2021, kur qyteti përjetoi një rritje të vjedhjeve në banesa. Vjedhjet ndodhnin gjithmonë natën, me një objektiv specifik: vetëm para në dorë dhe sende me vlerë, një mënyrë e qëndrueshme veprimi që i drejtoi menjëherë hetuesit drejt një burimi të vetëm.

Shqiptari ishte kapur nga kamerat e sigurisë në disa banesa, por maskimi e kishte ndihmuar që të mos identifikohej, deri sa policia arriti ta zbulonte. Ai është dërguar në paraburgim, teksa hetimi vijon.