Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Procesi”, duke parandaluar një rast të mundshëm të kultivimit të bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të zhvilluar nga Komisariati Nr. 2 në Rrugën e Dafinave, autoritetet ndaluan një automjet të drejtuar nga shtetasi R. A., 31 vjeç. Në mjet, policia gjeti një qese me rreth 1000 fara të dyshuara të llojit Cannabis Sativa.

Si rezultat i veprimeve procedurale, 31-vjeçari u arrestua në flagrancë, ndërsa u sekuestruan farat dhe automjeti tip “Benz” që ai drejtonte.

Policia nënvizon se operacioni është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të goditur veprimtaritë kriminale në fushën e narkotikëve në fazë të hershme. Materialet i janë përcjellë Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.