Një 39-vjeçar është arrestuar në Himarë, pasi akuzohet se po ndërtonte pa leje një objekt 5-katësh. Policia e Himarës bën me dije se gjatë kontrolleve dhe verifikimeve në terren, është konstatuar objekti në ndërtim në vendin e quajtur “Sugë”. Në vijim të veprimeve procedurale, në pranga ka rënë pronari i objektit, L. B., 39 vjeç, banues në Tiranë.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim tre punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë, të dyshuar për shpërdorim detyre. Në kërkim janë shpallur D. H., 46 vjeç, me detyrë kryeinspektor, si dhe inspektorët M. K., 31 vjeç dhe A. H., 42 vjeç. Sipas policisë, të tre janë banues në Tiranë dhe Gjirokastër.
Njoftimi i policisë:
Po ndërtonte pa leje, një objekt 5-katësh (njëri kat, nën tokë), arrestohet 39-vjeçari. Shpallen në kërkim 3 punonjës (kryeinspektori dhe 2 inspektorë) të IMT, Himarë, për shpërdorim të detyrave.
Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të përditshme në terren, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, krahas angazhimit maksimal për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë sezonit turistik, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë konstatuan se një objekt 5-katësh (njëri kat, nën tokë) në vendin e quajtur “Sugë”, aktualisht në proces ndërtimi, ishte pa leje. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, arrestuan në flagrancë pronarin e objektit, L. B., 39 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, shpallën në kërkim, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit D. H., 46 vjeç, banues në Tiranë, M. K., 31 vjeç, banues në Gjirokastër dhe A. H., 42 vjeç, banues në Tiranë, me detyra përkatëse kryeinspektor dhe inspektorë të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Himarë. Punohet për kapjen e tyre dhe për individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësive penale. Kontrollet dhe verifikimet vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
