Një 41-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë në Itali, i akuzuar si shpërndarës droge. Raportohet se aktiviteti i shqiptarit u zbulua, pas një sherri që ai pati me partneren e tij.
Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur në qytetin në Senigallia ku gjatë natës shqiptari pati një debat të ashpër me të dashurën duke alarmuar edhe fqinjët, të cilët njoftuan policinë. Sapo efektivët mbërritën, ata nisën kontrollet në banesën e çiftit dhe aty zbuluan drogën kokainë, të ndarë në doza gati për shpërndarje. Pas një hetimi, rezultoi se shqiptari e kamuflonte aktivitetin e tij kriminal me punën në bashki, duke lëvizur në zona të ndryshme të qytetit.
Shqiptari ndërkohë ka mohuar akuzat, duke pretenduar se kokaina ishte për përdorim personal dhe se mbrëmja me partneren e tij kishte eskaluar gjatë përdorimit të drogës.
