Nesti Janku ishte pushuar nga puna si shofer i kryebashkiakut dy muaj më parë
Përmet – Një 44-vjeçar është vënë në pranga nga policia e qytetit të Përmetit, pasi kërcënoi me jetë kryetarin e bashkisë së qytetit. Në pranga ka rënë shtetasi Nesti Janku, 44 vjeç, pasi dyshohet se kërcënoi se do të qëllonte me një kaçavidë kryebashkiakun e Përmetit, Gilbert Jaçe. Mësohet se 44-vjeçari kundërshtoi me dhunë edhe policinë gjatë momenteve të arrestimit, ndërsa si provë materiale është sekuestruar edhe kaçavida. Burime nga policia lokale thanë se Janku u arrestua në flagrancë, pasi rreth orës 19:30 të së premtes, në qendër të qytetit të Përmetit, në momentin që kryetari i bashkisë Gilbert Jaçe ka dalë nga një lokal ku po pinte kafe, ai i ka dalë përpara me një kaçavidë duke e kanosur, duke fyer dhe duke e ofenduar në publik për shkak të detyrës.
“Në shëtitore është ndodhur një punonjës policie i Komisariatit të Policisë së Përmetit, i cili ka ndërhyrë menjëherë për ta neutralizuar, por ai ka fyer dhe kundërshtuar me dhunë edhe punonjësin e policisë”, thanë burimet nga policia, të cilat saktësojnë se shtetasi Nesti Janku ka qenë shofer i administratës së Bashkisë së Përmetit dhe para dy muajsh është hequr nga puna. Dyshohet se për këtë arsye, gjatë këtyre dy muajve, Janku ka fyer dhe ofenduar disa herë kryetarin e Bashkisë së Përmetit, por ai nuk e kishte denoncuar më parë në polici këtë fakt. Në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Nesti Janku, për veprat penale të “kanosjes për shkak të detyrës”, “fyerjes për shkak të detyrës” si dhe “kundërshtimit të punonjësit të policisë”.