Një 54-vjeçar është arrestuar në Malësinë e Madhe, pasi u kap duke u kujdesur për disa bimë kanabisi.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Jubicë, ku 54-vjeçari u gjet brenda parcelës të mbjellë me bimë narkotike. Konkretisht, ai kishte mbjellë 137 bimë kanabisi. Këto bimë u asgjësuan nga policia duke u djegur, teksa 54-vjeçari u dërgua në komisariatin e Shkodrës.
Njoftimi i policisë:
Policia e Malësisë së Madhe ka finalizuar një goditje ndaj veprimtarive të paligjshme të kultivimit të lëndëve narkotike, në kuadër të operacionit antikanabis të koduar “Koordinata”. Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të kryera në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, u arrestua në flagrancë shtetasi I. R., 54 vjeç, banues në fshatin Jubicë.
Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë në momentin kur ndodhej në një parcelë me 137 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa, të cilat i kishte kultivuar në tokë publike, në afërsi të zonës së banuar. Pas dokumentimit të rastit, bimët narkotike u asgjësuan në vendngjarje përmes djegies, në prani të strukturave hetimore.
Materialet procedurale në ngarkim të 54-vjeçarit iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për vijimin e hetimeve dhe ndjekjen penale për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”, në kundërshtim me nenin 284 të Kodit Penal.