Policia e Tiranës ka arrestuar një 28-vjeçar, Aleksandër Matoja, i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal me veprimtari në Shkodër. Sipas njoftimit zyrtar, i riu u kap në zonën e Alliasit duke transportuar armë zjarri që dyshohet se do t’i shiste personave të përfshirë në krime kundër jetës dhe pronës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin ai lëvizte, forcat e rendit gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri tip pistoletë. Policia dyshon se këto armë ishin destinuar për shitje në tregun kriminal.

I arrestuari rezulton me precedent të mëparshëm penal për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Ndaj tij tashmë rëndojnë akuzat për armëmbajtje pa leje dhe trafikim të armëve, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe bashkëpunëtorëve të tij janë në vijim.

Njoftimi:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Black market”. Sekuestrohen 2 pistoleta.

Arrestohet në Allias, një 28-vjeçar, banues në Shkodër, që dyshohet se do t’ua shiste armët e zjarrit, shtetasve që kryejnë krime kundër jetës dhe pronës.

I arrestuari, shtetas me precedent penal, si pjesëtar i një grupi kriminal në Shkodër.

Në vijim të kontrolleve dhe punës intensive operative të Policisë së Tiranës, me fokus kapjen e shtetasve që lëvizin të armatosur dhe për pasojë, janë rrezik potencial për rendin dhe sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin “Black market”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 28 vjeç, banues në Shkodër, me precedent për prodhim/shitje narkotikësh, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Nga kontrolli në automjetin me të cilin ai lëvizte në Allias, u gjetën 2 armë zjarri pistoleta, të cilat dyshohet se do t’ua shiste shtetasve që kryejnë krime kundër jetës dhe pronës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.