Një gjykatë në Itali ka lënë në burg shqiptarin Ervis Gjoka, 47 vjeç, i cili akuzohet për tentativë vrasjeje pas plagosjes me thikë të një 49-vjeçari në qytetin Latiano.
Ngjarja ndodhi më 13 gusht në rrugët e Latianos, në provincën e Brindisit, pas një konflikti mes dy personave. Sipas hetimeve, Gjoka dyshohet se ka goditur rivalin e tij në bark, duke i shkaktuar plagë shumë të rënda.
Mëngjesin e së hënës, 17 gusht, i dyshuari u paraqit para gjyqtares së hetimeve paraprake në Gjykatën e Brindisit, Gianna Martino, në kuadër të seancës për vlerësimin e arrestit të kryer nga karabinierët nën drejtimin e prokurores Laura De Stradis.
I mbrojtur nga avokatët Antonio Sartorio dhe Alessandro Stomeo, Gjoka iu përgjigj pyetjeve të gjyqtares dhe paraqiti versionin e tij të ngjarjes. Mbrojtja depozitoi gjithashtu një memorandum me kundërshtime procedurale.
Pas disa orësh shqyrtimi, gjyqtarja vendosi të konfirmojë arrestimin dhe masën e sigurisë “burg pa afat”.
49-vjeçari i plagosur ndodhet i shtruar në spitalin “Perrino” të Brindisit, ku po merr trajtim mjekësor. Mjekët kanë dhënë një prognozë të rezervuar për gjendjen e tij, shkruajnë mediat italiane.
