Një 49-vjeçare e shpallur në kërkim 2 ditë më parë është vënë në pranga nga policia sot në Durrës.
Mësohet se 49-vjeçarja i kishte ofruar një 44-vjeçari marrëdhënie kundrejt pagesës, por e gjitha kjo duket se ishte një plan për ta grabitur. Sipas policisë, kur 44-vjeçari mbërriti në vendin e ngjarjes, ai pritej nga kjo grua dhe një person tjetër.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata i vodhën 44-vjeçarit telefonin dhe paratë. Bashkëpunëtori u arrestuar menjëherë pas ngjarjes ndërsa 49-vjeçarja arriti të largohej, për t’u arrestuar sot.
Njoftimi i policisë:
Kapet dhe vihet në pranga 49-vjeçarja e shpallur në kërkim 2 ditë më parë, në kuadër të operacionit të koduar “Last Threat”. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kapën dhe ndaluan shtetasen në kërkim A. H., 49 vjeçe, banuese në Durrës, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim, “Prostitucioni” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Shtetasja A. H., ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, i ka ofruar marrëdhënie seksuale, kundrejt pagesës, një 44-vjeçari, dhe ka bashkëpunuar me një 40-vjeçar, i cili i mori me dhunë 44-vjeçarit, në banesë, celularin dhe një shumë parash. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.


