Në kuadër të operacionit të koduar “Insistimi”, Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 28-vjeçar nga Fushë-Kruja, i cili është arrestuar pas akuzave për përndjekje dhe kanosje të një 37-vjeçareje nëpërmjet rrjeteve sociale. Autori, i identifikuar si L. K., përdorte disa llogari false në platformat “Instagram” dhe “TikTok” për të shkaktuar ankth dhe panik tek viktima.

Pas një hetimi të shpejtë dhe bashkëpunimi të ngushtë me Komisariatin e Policisë Krujë dhe specialistët e Krimeve Kibernetike, Policia arriti të lokalizojë dhe arrestojë autorin, duke sekuestruar gjithashtu dy celularë në të cilët ishin aktivizuar llogaritë false.

DVP Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Insistimi”.

I shkaktoi ankth dhe panik, një 37-vjeçareje, duke e përndjekur dhe kanosur në rrjete sociale, nëpërmjet disa llogarive false, arrestohet 28-vjeçari.

Sekuestrohen 2 celularët në të cilët i arrestuari kishte aktivizuar llogaritë.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të kallëzimit të një shtetaseje, se përndiqej dhe kanosej në rrjete sociale, veprime të cilat i kishin shkaktuar ankth dhe panik, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në kuadër të operacionit “Insistimi”, mundësuan lokalizimin dhe vënien në pranga të autorit të dyshuar të rastit, shtetasit L. K., 28 vjeç, banues në fshatin Halilaj, Fushë Krujë.

Nga kontrollet në 2 celularët e tij, u gjetën të aktivizuara llogari false, në platformat “Instagram” dhe “TikTok”, nëpërmjet të cilave 28-vjeçari përndiqte dhe kanoste 37-vjeçaren.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.