Një 36-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lushnjës, pasi dyshohet se ka kryer dy vjedhje brenda dy ditësh dhe më pas i ka vënë flakën një lokali në fshatin Plug.

Operacioni policor i koduar “Again” çoi në zbardhjen e dy rasteve të vjedhjes dhe në prangosjen e shtetasit me inicialet M. G., banues në këtë zonë, i cili rezulton i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.

Sipas hetimeve, 36-vjeçari dyshohet se më datë 16 korrik ka vjedhur dy bateri automjetesh, ndërsa një ditë më pas ka hyrë në një lokal në orët e para të mëngjesit, ku ka marrë një shumë parash dhe një laptop.

Pas vjedhjes, ai dyshohet se i ka vënë zjarrin lokalit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Policia bëri të ditur se arrestimi u krye në kuadër të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjeve, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.