Policia e Shkodrës arrestoi një nga autorët e krimit të ndodhur pasditen e djeshme pranë spitalit rajonal të qytetit, ku u qëlluan me armë zjarri babë e bir, Frederik e Jurgen Marku, dhe ku nga të shtënat humbi jetën 46-vjeçari dhe u plagos djali i tij 22-vjeçar.
Njëri prej autorëve të arrestuar nga polica është 25-vjeçari Leonard Nika, banues në lagjen “3 Heronjtë” të qytetit të Shkodrës, ndërkohë që janë shpallur në në kërkim edhe bashkëpunëtorët e tij, të identifikuar tashmë nga policia.
Ngjarja e rëndë u shënua të enjten rreth orës 16:10 në lagjen “Skënderbeg”, të qytetit Shkodër, pikërisht pranë Spitalit Rajonal Shkodër, ku babë e bir lindur në Theth e banues në Tiranë, u qëlluan me armë zjarri pistoletë nga dy persona me motor, teksa ndodheshin në makinën tip fuoristradë me targa TR 3413 T. Ndërkaq, Policia e Shkodrës ka sqaruar se një nga motivet e krimit dyshohet të ishte hakmarrja për një sherr të pak ditëve më parë.
31 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)