Policia ka ndaluar një 56-vjeçar, ish-jurist në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Fier, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Stolen Land”.

Sipas njoftimit të policisë, bëhet fjalë për shtetasin me inicialet Hidir Ismail Zani, banues në Fier, ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendim të datës 17 shtator 2026, kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Ish-juristi dyshohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në disa raste. Sipas hetimeve, ai akuzohet se ka shpërdoruar në mënyrë të përsëritur detyrën gjatë ushtrimit të funksionit të tij si jurist pranë AShK-së në Fier.

56-vjeçari ishte shpallur në kërkim gjatë operacionit “Stolen Land”, të zhvilluar disa javë më parë, ndërsa ndalimi i tij u krye nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.