Një shtetas shqiptar, i identifikuar si Kolian Ilia, është arrestuar nga autoritetet greke në kuadër të hetimeve për shpërthimin e fuqishëm që ndodhi më 25 shtator në lagjen Plaka të Athinës, ku humbën jetën gjashtë persona, mes tyre tre shqiptarë.
Së bashku me të janë vënë në pranga edhe dy shtetas grekë, përkatësisht 37 dhe 55 vjeç, të cilët dyshohen se kanë pasur rol në ngjarjen me pasoja tragjike.
Sipas të dhënave të hetimit, tre personat dyshohet se kishin ndërhyrë në rrjetin e furnizimit me gaz natyror të një ndërtese, me synimin për të vjedhur tubacionet prej bakri.
Autoritetet dyshojnë se gjatë kësaj ndërhyrjeje është dëmtuar sistemi i gazit, duke shkaktuar një rrjedhje që vijoi për disa orë. Gazi i grumbulluar brenda godinës dyshohet se shkaktoi më pas shpërthimin e fuqishëm.
Ngjarja u regjistrua në orët e para të mëngjesit të 25 shtatorit, në rrugën Lysikratous, në një prej zonave historike të kryeqytetit grek.
Fuqia e shpërthimit shkaktoi shembjen e ndërtesës, duke u marrë jetën gjashtë personave. Mes viktimave u konfirmuan edhe tre shtetas shqiptarë.
Pas hetimeve të zhvilluara për zbardhjen e rrethanave të tragjedisë, policia greke arriti në identifikimin dhe arrestimin e tre të dyshuarve.
Ata pritet të paraqiten gjatë ditës përpara autoriteteve gjyqësore, ku do të shqyrtohet masa e sigurisë.
Të arrestuarit përballen me akuza të rënda, përfshirë shkaktimin e shpërthimit me pasoja fatale, zjarrvënien dhe vrasjen me dashje eventuale.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësinë individuale të secilit prej të dyshuarve në ngjarjen që u mori jetën gjashtë personave.
