Protesta e zhvilluar këtë të martë në Tiranë është zhvendosur mbrëmjen e sotme përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës, pas përplasjeve të regjistruara më herët mes protestuesve dhe forcave të policisë pranë Kuvendit.

Pas përleshjeve në zonën e Parlamentit, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë dhe më pas u grumbulluan para Drejtorisë së Policisë, ku nisën të kërkojnë lirimin e personave të shoqëruar gjatë protestës.

Me thirrje të përsëritura në kor, protestuesit kërkuan që të lirohen të ndaluarit, ndërsa ndër sloganet e dëgjuara ishte edhe: “Jo e pushtetit, Polici e Shtetit”.

Sipas të dhënave të bëra me dije, rreth 20 persona janë shoqëruar nga policia dhe janë dërguar në komisariatet e kryeqytetit pas përplasjeve pranë Kuvendit.

Protesta e sotme është shoqëruar me tensione që në orët e para. Gjatë tubimit, protestuesit kanë hedhur vezë në drejtim të automjeteve të deputetëve.

Mes personave të ndaluar raportohet se janë edhe kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” dhe gazetari Shpend Gashi.

Situata vijon të monitorohet nga forcat e policisë, ndërsa protestuesit qëndrojnë para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, duke kërkuar lirimin e të shoqëruarve.