Eurodeputeti Fredi Beleri është shprehu se shpallja “non grata” e gazetarit Artan Hoxha nuk të bëjë me çështjen e tij. Megjithëse thotë se nuk ka një informacion zyrtar për vendimin e autoriteteve greke, sipas eurodeputetit, nuk ka lidhje me çështjen Beleri, ndërsa shton se me gazetarin Hoxha është përballur nëpër gjykata. 

“Po lexoj që ishte hakmarrje për çështjen Beleri. Nuk ka të bëjë shpallja e zotit Hoxha non grata me çështjen Beleri unë jam përballur me zotin hoxha në gjykata ai vazhdon të shpifë dhe të thotë opinionet e veta për lajmet dikush duhet t’i vërë një barrierë. Çështja Beleri nuk ka të bëjë me ndalimin e zotit Hoxha, e ka shkruar media greke sot arsyen. Nuk kam informacion zyrtar. Unë jam përballur dhe jam akoma në gjyqe shqiptare ai është shmangur dhe nuk e gjente policia për t’i dhënë fletën e thirrjes. Figurat publike kanë të drejtën e mbrojtjes së jetës private, nuk mund të flasësh duke shpifur. Vetë gazetarët duhet të vetëpastrohen dhe të kemi një gazetari të denjë”, theksoi Beleri në “Off the Record”.

Artan Hoxha është ndaluar ditën e dielë që të hyjë në Greqi, dhe i është bërë me dije statusi “non grata” nga shteti fqinj. Hoxha ka qenë duke kaluar në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, në momentin që është ndaluar nga autoritetet greke, me argumentin që përbën një kërcënim për rendin publik. Gazetarit i është marrë pasaporta, dhe është mbajtur për rreth një orë i ndaluar nga autoritetet greke.

Në dokumentin që iu dorëzua thuhet se ai “Është karakterizuar si person i padëshirueshëm; Konsiderohet i rrezikshëm për rendin publik, sigurinë e brendshme, shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose më shumë shteteve të BE-së”.

Më pas, gazetarit Hoxha i është vendosur kryq me stilolaps në pasaportë mbi vulën e policisë greke dhe i është kërkuar të largohet menjëherë nga territori grek, ndërsa statusi non grata nuk ka afat, çka do të thotë që është i përjetshëm, nëse nuk ka një vendim të dytë nga autoritetet vendase.