Ervin Bregasi, artisti që u bë viral në rrjetet sociale për imazhet ironike ku “vesh” politikanët shqiptarë me marka luksi dhe i vendos në skena të pazakonta, tregon se krijimtaria e tij artistike tashmë është kthyer edhe në një burim të ardhurash.

Në një intervistë për Top News, Bregasi shpjegoi se ideja nisi si një eksperiment vizual për kopertina muzikore, por shumë shpejt u shndërrua në një fenomen në platforma si Instagram dhe TikTok. Fillimisht ai punoi me imazhe të artistëve shqiptarë, por më pas vendosi të përfshijë edhe politikanët, duke i trajtuar ata përmes humorit dhe ironisë.

Sipas tij, qëllimi ishte të thyejë imazhin tradicional serioz të politikës. “Politikanët i shohim gjithmonë me kostum e kollare, shumë seriozë. Mua më pëlqeu ideja t’i vendos në situata që nuk i kemi parë kurrë më parë,” u shpreh Bregasi.

Reagimi i publikut dhe përhapja e shpejtë e këtyre imazheve e kanë shtyrë artistin ta vazhdojë dhe ta zhvillojë më tej këtë format, duke e kthyer në një identitet të veçantë të punës së tij. Përveç vëmendjes së madhe, ai thekson se tashmë përfiton edhe financiarisht nga rrjetet sociale.

Bregasi zbuloi gjithashtu se disa artistë të njohur i janë drejtuar për bashkëpunime, duke i kërkuar të realizojë kopertina muzikore apo projekte vizuale ku ata shfaqen në të njëjtin imazh me figura politike si Edi Rama apo Sali Berisha.