Është mbyllur ceremonia e homazheve në nder të Artur Zhejit, mbajtur sot në Universitetin e Arteve.

Pak pas orës 12:10, trupi i tij është nisur drejt banesës së fundit ku gazetari dhe publicist i njohur do të prehet, në varrezat e Tufinës. Miq e kolegë vendosën kurora me lule pranë arkmortit, duke i dhënë lamtumirën. Në ceremoninë e homazhe kanë marrë pjesë edhe shumë figura të rëndësishme të politikës shqiptare, të cilët i kanë dhënë lamtumirën e fundit.

Artur Zheji u nda nga jeta para kohe ditën e shtunë, ndërsa ndodhej me pushime në Sarandë së bashku me familjen e tij. Gazetari ishte duke drekuar në një restorant në rrugën ‘Butrinti’, bashkë me bashkëshorten dhe djalin, kur papritur ka pësuar një arrest kardiak. Sipas njoftimit të Policisë, familjarët kishin telefonuar urgjencën për ndihmë, por pavarësisht ndërhyrjes, ai nuk ka mundur të mbijetojë.

Artur Zheji i lindur më 29 gusht 1961 ishte gazetar, publicist dhe analist shqiptar. I biri i euriditit të njohur shqiptar Petro Zhejit dhe aktores së njohur shqiptare Besa Imamit, Zheji la pas një boshllëk të madh në gazetarinë shqiptare.