Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër funksionimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke vënë në shënjestër rolin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe balancën e saj me gjykatën. Në një deklaratë të fortë, ai theksoi se prokuroria nuk mund të ketë fuqi të pakufizuar, ndërsa gjykata duhet të jetë garant i ekuilibrit në sistemin e drejtësisë.
“Prokurori ka të drejtë dhe të çmendet, por gjykata e mban ekuilibrin,” deklaroi Rama, duke shtuar se “gjykata nuk mund të shndërrohet në një ‘mbi-prokuror’ që vetëm rrit peshën e dënimit paraprak.”
Ai gjithashtu vuri në dukje presionin që, sipas tij, gjyqtarët ndjejnë nga opinioni publik, duke theksuar se “drejtësia nuk mund të ndikohet nga perceptimi i publikut, pasi kjo është çështje e politikanëve të zgjedhur.”
Në një ton të ashpër, Rama kritikoi ata që, sipas tij, minimizojnë përpjekjet për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke deklaruar se ky është një “mision historik” për të cilin ai është i gatshëm të sakrifikojë.
“Unë jam këtu për të parë me sytë e mi Shqipërinë në tryezën e BE-së. Kjo është beteja ime,” theksoi kryeministri, duke shtuar se ai nuk ndikohet nga sulmet dhe kritikat që vijnë nga të gjitha anët.
Deklaratat e tij vijnë në një moment të nxehtë për reformën në drejtësi dhe rolin e SPAK-ut në hetimin e çështjeve të profilit të lartë në vend.