Dy liderët ndajnë pushtetin. Abdullah bëhet Kryeministër. SHBA përshëndet marrëveshjen


Presidential elections campaigningAshraf Ghani është shpallur dje si President i ri i Afganistanit. Komisioni i Pavarur Zgjedhor në Kabul ka emëruar zyrtarisht ish-ministrin  e Financave, Ashraf Ghani, si President të ri të vendit. Njoftimi është bërë disa orë pasi Ghani dhe rivali i tij, Abdullah Abdullah, kanë nënshkruar marrëveshjen për ndarje të pushtetit. Kjo marrëveshje parashikon që Ghani të bëhet President, ndërsa Abdullah Kryeministër. Marrëveshja i ka dhënë fund kështu kontestimit disamujor të rezultatit të zgjedhjeve të qershorit. Presidenti në largim, Hamid Karzai, ka përgëzuar i pari Ghanin dhe Abdullahun, dhe ka shfaqur më tej shpresën për paqe dhe prosperitet në Afganistan.


 


SHBA përshëndet marrëveshjen


Po ashtu si pala më e interesuar për këtë zhvillim të ri, Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur marrëveshjen e nënshkruar dje mes dy rivalëve në Afganistan, për ndarje të pushtetit. “Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ndihmon në mbylljen e krizës politike në Afganistan dhe rikthen besimin në rrugën përpara. Ne e mbështesim këtë marrëveshje dhe jemi të gatshëm për të punuar me administratën e ardhshme për të siguruar suksesin e saj”, ka thënë me këtë rast dje zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest. Marrëveshja erdhi pas disa përpjekjesh të shpeshta mes palëve me ndërmjetësimin direkt të SHBA, që kulmuan me vizitën që zhvilloi gjatë muajit të shkuar Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, vizitë e cila hodhi një bazë mirëbesimi mes palëve, të cilat deri në minutat e fundit ishin shprehur skeptike për arritjen e një marrëveshjeje, duke vijuar të akuzonin njëri-tjetrin për manipulime e mosrespektim të Kodit Zgjedhor. Zhvillimi i ri i jep fund dominimit prej më shumë se një dekade të Presidentit në detyrë, Hamid Karzai, i cili gjatë periudhave të fundit të ushtrimit të pushtetit – me gjithë përmbushjen e shumë sfidave që e përcollën vendin pas çlirimit nga regjimi taleban – ishte përfolur për korrupsion, apo nepotizëm. Gjithashtu, ai akuzohej edhe se kundërshtonte shpesh me ashpërsi planet amerikane që kishin të bënin me tërheqjen, apo angazhime të tjera politiko-ushtarake në vendin që është kthyer në një simbol të luftës kundër terrorizmit, qëkurse ish-presidenti amerikan, G.W. Bush, ndërhyri pas ngjarjeve të 9 shtatorit të vitit 2001.