Kodjan Braho është përzgjedhur këtë muaj si drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në një moment kur institucioni ndodhet në qendër të vëmendjes publike dhe nën presion të fortë politik.

I pyetur nga BIRN për prioritetet e tij si kreu i ri i SPAK, 43-vjeçari Braho, i icli mori detyrën më 19 dhjetor, u shpreh se synimi kryesor i mandatit të tij do të jetë të garantojë që askush të mos jetë mbi ligjin dhe që të gjithë të jenë të barabartë përpara tij.

“Do të përqendrohemi në çështjet aktuale dhe do të vijojmë hetimet e thelluara, përfshirë analizën e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme dhe konfiskimin e tyre. Një kusht i rëndësishëm për funksionimin e duhur të SPAK-ut është forcimi i pavarësisë dhe profesionalizmit të prokurorëve dhe hetuesve. Do të punojmë gjithashtu për forcimin institucional të SPAK-ut dhe rritjen e kapaciteteve për mbledhjen dhe analizën e informacionit. Qëllimi ynë është të rrisim besimin e publikut te drejtësia dhe këtë mund ta arrijmë vetëm duke vendosur standarde të larta në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.”, tha prokurori.

SPAK-u rrallëherë mungon nga titujt e lajmeve këto ditë në Shqipëri. Aktualisht, prokurorët e tij po hetojnë zv/kryeministren Belinda Balluku, e cila akuzohet për ndërhyrje në prokurime publike në çështje të ndërtimit të rrugëve. Balluku mohon çdo shkelje, duke i quajtur akuzat “insinuata”, “gjysmë të vërteta” dhe “gënjeshtra”.

SPAK-u i ka kërkuar parlamentit t’i heqë asaj imunitetin që të mund ta arrestojë; pritet që një vendim të merret në janar. Megjithatë, legjislativi dominohet nga Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama, e cila ka 83 nga 140 mandatet.

Rama ka shprehur mbështetjen e tij për Ballukun; opozita ka denoncuar situatën dhe mbajti një protestë të hënën para zyrës së tij, duke kërkuar dorëheqjen e Ramës. Tubimi u organizua nga Partia Demokratike rivale, lideri i së cilës, Sali Berisha, është marrë gjithashtu i pandehur nga SPAK-u për korrupsion të dyshuar, akuza që ai i mohon. Protestues të zemëruar më pas hodhën kokteje Molotov dhe u zotuan për protesta të mëtejshme.

Balluku është zyrtarja publike me nivelin më të lartë që aktualisht po hetohet nga SPAK-u. Një tjetër hetim në vazhdim që ka tërhequr vëmendjen e publikut është rasti i një grupi kriminal të dyshuar me bazë në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), i akuzuar për drejtimin e një skeme për manipulimin e tenderëve.

AKSHI është një nga institucionet më të rëndësishme në vend. Ai menaxhon pothuajse të gjithë sistemin e qeverisjes digjitale përmes portalit e-Albania, duke vepruar njëkohësisht si ndërmjetës mes qytetarëve dhe institucioneve të ndryshme për lëshimin e dokumenteve online.

Kritikët thonë se çështja është veçanërisht shqetësuese sepse nxjerr në pah lidhje të dyshuara mes krimit dhe institucioneve shtetërore. Vetëm vitin e kaluar, SPAK-u thotë se ka vënë nën hetim 33 ish-zyrtarë të lartë publikë, 19 prej të cilëve janë dërguar për gjykim.

Mes tyre përfshihen disa figura të rëndësishme politike: Berisha, një figurë qendrore e politikës shqiptare që nga rënia e komunizmit në fillim të viteve 1990, është aktualisht në gjyq për korrupsion. Një tjetër ish-president, Ilir Meta, dhe bashkëshortja e tij, ish-deputetja Monika Kryemadhi, po ashtu po gjykohen për akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, një aleat politik i Ramës, ndodhet në paraburgim për akuza të ngjashme, ndërsa ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj është në arrati nga një hetim për korrupsion dhe pastrim parash.

Braho u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 2004 dhe në Shkollën e Magjistraturës në Shqipëri në vitin 2008. Ai ka punuar në prokuroritë e qyteteve të Beratit dhe Vlorës, përpara se të emërohej prokuror në Prokurorinë për Krime të Rënda. Që nga viti 2019, kur u krijua, ai është prokuror në SPAK; si prokuror karriere, ka përvojë të gjerë në hetimin e krimeve të rënda dhe korrupsionit.

Pritet që ai të jetë në qendër të vëmendjes publike, pasi do të pasojë Altin Dumanin, i cili perceptohet gjerësisht si prokurori që theu kulturën e pandëshkueshmërisë në Shqipëri, në krye të SPAK-ut. Dumani tha se dëshironte t’i uronte Brahos suksese në atë që e përshkroi si një “detyrë shumë të rëndësishme dhe sfiduese”.

“Të jesh kreu i SPAK-ut është një përgjegjësi e madhe, jo vetëm për institucionin, por edhe për besimin e qytetarëve te drejtësia. Jam i bindur se zoti Braho do ta përmbushë këtë detyrë me profesionalizëm dhe integritet. SPAK-u ka vendosur tashmë standardet e tij dhe jam i bindur se do të vazhdojë të funksionojë duke përmbushur misionin e vet, në shërbim të ligjit dhe qytetarëve”-, tha Dumani për BIRN.