Gjatë një konference për shtyp me gazetarët, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka komentuar mbi regjimin e ashpër në burgje, duke theksuar se kjo masë do të aplikohet në rastet kur të dënuarit përfshihen në aktivitete kriminale brenda institucioneve.

I pyetur nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha nëse në Shqipëri ka mungesë të rasteve që justifikojnë këtë regjim, ministri u përgjigj se situata vlerësohet rast pas rasti. Sipas Gogut, nëse ka të dënuar që kontribuojnë në fuqizimin e strukturave kriminale brenda burgjeve, autoritetet nuk do të hezitojnë të përdorin masat e parashikuara me ligj.

“Nëse ka të dënuar të cilët kontribuojnë brenda institucioneve në fuqizimin e strukturave kriminale, s’do hezitohet për të ushtruar këtë masë për të cilën është krijuar”, u shpreh Gogu.

Po ashtu ministri foli për vonesat në sistemin gjyqësor, duke i lidhur ato me vakancat e krijuara gjatë reformës në drejtësi dhe procesit të rivlerësimit kalimtar të magjistratëve.

“Doja të thoja që jemi duke vlerësuar midis vonesës sistemike që ka ardhur për shkak të vakancave të krijuara nga reforma dhe procesi i rivlerësimit kalimtar të magjistratëve, ndaj u krijuan vonesat; është vonesë që mbizotëron në gjithë sistemin. Kur të dallojmë fenomene të veçuara, do t’i drejtohemi ILD-së dhe do të bëjmë një dallim mes vonesës që do adresohet nga qasja që ka të bëjë me ndryshimet ligjore, në burimet njerëzore, ndërhyrjen në infrastrukturë.

Kemi një plan ambicioz sa i përket polit së drejtësisë, godinave institucionale në hartën juridiksionale të Tiranës ku operojnë disa gjykata të rëndësishme. Pra, një pol të ri drejtësie. E keni dëgjuar, kryeministri ka qenë në një takim me drejtuesit e këtyre institucioneve. Këto vonesa do duhet të marrin kohë, siç thashë nuk kemi rritje të vonesave, por ulje të saj. Çdo ditë që plotësohet një vakancë, ne ulim vonesat”, shtoi ai./ Top Channel