Gjykata e Posaçme ka lënë sot në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për biznesmenin Ergys Agasi.
Pas përfundimit të seancës, avokati i tij, Maks Haxhia, ka ngritur pikëpyetje mbi akuzat e ngritura dhe provat e paraqitura nga organi i akuzës.
Sipas Haxhisë, gjatë seancës është konfirmuar se ndaj Agasit nuk qëndron më akuza për heqje të paligjshme të lirisë, ndërsa është shtuar akuza për korrupsion pasiv.
Pikërisht për akuzën e re, mbrojtja pretendon se nuk është paraqitur asnjë provë konkrete që të dëshmojë se Agasi ka marrë para apo përfitime në këmbim të ndikimit të tij.
Avokati ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet për përfshirjen e klientit të tij në tenderat e AKSHI-t. Sipas tij, Agasi nuk ka marrë pjesë në tendera, nuk ka përfituar fonde publike dhe nuk ka pasur marrëdhënie financiare me ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Një tjetër çështje e ngritur nga mbrojtja lidhet me periudhën gjatë së cilës Agasi ishte shpallur në kërkim. Haxhia kundërshtoi interpretimin se kjo rrethanë, në vetvete, mund të konsiderohet si provë për rrezikun e largimit.
Megjithatë, pavarësisht argumenteve të mbrojtjes, GJKKO vendosi të lërë në fuqi masën “arrest në burg”.
Haxhia deklaroi se beteja ligjore për masën e sigurisë dhe akuzat ndaj klientit të tij do të vijojë. Ndërkohë, pretendimet e bëra pas seancës përfaqësojnë qëndrimin e mbrojtjes, ndërsa provat dhe argumentet e SPAK do të shqyrtohen gjatë vijimit të procesit.
“Problemi është që akuza e heqjes së paligjshme të lirisë në drejtim të zotit Agasi me analizat që iu bënë provave të administruara dhe vendimeve të prokurorisë, tregoi dhe çoi në çlirimin e kësaj akuze në ngarkim të zotit Agasi. Ajo që na bëri optimist është se organi i akuzës,
Akuza për korrupsion pasiv, pasiguria e materialit të paraqitur deri tani e ka ndjekur akuzën për të qëndruar në pozitat e presionit ndaj gjykatës, sot u paraqit kjo akuzë.
Klienti foli dhe dha shpjegime dhe insistoi e provoi se nuk ka qenë kurrë pjesëmarrës në tendera, nuk ka apsur asnjë përfitim dhe nëpërmjet tenderimin dhe nuk ka qenë pjesë e grupeve kriminale në presione të ndryshme”, u shpreh avokati Maks Haxhia.
