Ish-deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Edmond Spaho, ka kritikuar ashpër mungesën e reagimit nga drejtuesit e kësaj force politike lidhur me nisjen e gjyqit ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe vendimin për të mos e transmetuar publikisht seancën.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Spaho shprehet se asnjë figurë e rëndësishme e PD-së nuk ka reaguar apo protestuar për mënyrën si po zhvillohet procesi, duke përmendur edhe mbajtjen e Metës në kafaz gjatë gjyqit. Sipas tij, kjo heshtje tregon se partia dhe kryetari i saj, Sali Berisha, kanë lënë në harresë raportet me Partia e Lirisë dhe ish-aleatin e tyre.

Spaho rikujton rolin që ka pasur dikur LSI, sot Partia e Lirisë, në mbështetje të PD-së për ardhjen në pushtet, duke paralajmëruar për pasojat që, sipas tij, kanë ardhur kur kjo mbështetje nuk është vlerësuar.

Në fund, ai e cilëson si “turp” mungesën e reagimit publik nga drejtuesit dhe disa deputetë të PD-së, të cilët, sipas tij, kanë përfituar më parë nga bashkëpunimi me Metën dhe Partinë e Lirisë.

“Unë nuk di nëse Ilir Meta është apo jo fajtor, por ai kishte të drejtë për të dy çështjet e ngritura dhe duhej mbështetur fort. Ndoqa sot (dje) gjyqin ndaj Ilir Metës dhe reagimin e politikës, veçanërisht opozitës për mbajtjen e tij në kafaz dhe refuzimin për transmetimin e gjyqit për publikun.

M’u kujtuan shumë ngjarje të së shkuarës ku kam qenë dëshmitar:

LSI solli PD në pushtet në zgjedhjet e vitit 2005. Pa votat që LSI me kandidatët e saj i hoqi PS, opozita nuk vinte në pushtet.

LSI e mbajti PD në pushtet në 2009 me katër mandatet e saj.

PD nuk preferoi të bashkohej me LSI në zgjedhjet e vitit 2017. Bëri marrëveshje për bashkëqeverisje me Edi Ramën. Rezultati katastrofik dihet.

Për objektivat politike, por idiotë, të PD, LSI pranoi të djegë mandatet në vitin 2019.

LSI me qëllim nuk u pranua si pjesë e listave të përbashkëta të opozitës në zgjedhjet e vitit 2021. Për këtë humbëm zgjedhjet me 30 mijë vota diferencë me PS.

LSI e mbështeti Rithemelimin si të ishte pjesë e tij.

Sot asnjë udhëheqës në PD nuk foli dhe protestoi, qoftë edhe formalisht, për Ilir Metën që e mbajnë në kafaz dhe që nuk pranojnë që gjyqi të transmetohet për publikun.

PD ka harruar aleatin e saj LSI/PL dhe Berisha e harroi Metën.

Turp i madh edhe për disa deputetë të PD të cilët kanë ngrënë bukë në politikë për shkak të lidhjeve me Metën dhe PL.

Unë nuk di nëse Ilir Meta është apo jo fajtor, por ai kishte të drejtë për të dy çështjet e ngritura dhe duhej mbështetur fort”, shkruan Spaho.