Turqia thotë se e ka bindur Rusinë të ndryshojë qëndrim mbi Sirinë
Luftime të ashpra në fushëbetejë dhe humbje në frontin diplomatik po rrisin presionin mbi qeverinë e Sirisë, ndërkohë që raportohet se luftimet përreth kryeqytetit Damask janë të qëndrueshme e të ashpra. Aktivistët raportojnë se po luftohet në lagjet e jugut të Damaskut dhe pranë aeroportit ndërkombëtar për pesë ditë me radhë, ndërsa trupat qeveritare janë përpjekur, por nuk ia kanë dalë të pastrojnë zonën nga rebelët.
Megjithëse qeveria ka fuqi zjarri më të madhe dhe rebelët kanë pësuar humbje të rënda, forcat besnike të Assad nuk kanë arritur të vendosin nën kontroll zonën.
Ndërkohë, dje, një zyrtar i lartë i Turqisë tha se Rusia ka rëndë dakord të ndjekë një qëndrim të ri diplomatik për të bindur Presidentin Bashar al-Assad të heqë dorë nga pushteti, një shenjë kjo se mbështetja e fuqishme e Moskës për regjimin sirian po dobësohet. Në Damask, raportohet se zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme është larguar nga vendi, ndërsa Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, lëshoi paralajmërime të ashpra për Sirinë. Uashingtoni kërcënoi për “pasoja të rënda” për regjimin e Assad në rast se ky i fundit vendos të përdorë arsenalin e vet të armëve kimike kundër popullsisë civile. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, i përsëriti kërcënimet amerikane.
“Përdorimi i mundshëm i armëve kimike do të jetë tërësisht i papranueshëm për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare”, tha Rasmussen. Një diplomat perëndimor konfirmoi se në Uashington ka një shqetësim real mbi rrezikun e përdorimit të armëve kimike nga udhëheqësit e Sirisë në rast se pozicioni i tyre në luftën konvencionale përkeqësohet.
Ministria e Jashtme e Sirisë përsëriti deklarata të mëparshme ku thuhet se qeveria e këtij vendi “nuk do të përdorë kurrë armë kimike, në rast se i disponojnë, kundër popullit të vet në asnjë rrethanë”.
OKB-ja deklaroi se po tërheq stafin e vet jothelbësor në Siri, ndërsa Bashkimi Europian njoftoi se po redukton aktivitetin e vet diplomatik në këtë vend “në minimum”. Një diplomat rus foli për herë të parë mbi mundësinë e evakuimit të qytetarëve rusë.
OKB raporton nga ana e saj rritjen e pasigurisë ushqimore në Siri ku ka zona të tëra me mungesë të furnizimit me drithëra, ndërsa në shumë pjesë të vendit ka pasur rritje të ndjeshme të çmimeve.
Zyrtarët e OKB janë tërhequr në Jordani, ndërsa në vend kanë mbetur vetëm 20 punonjës ndërkombëtarë dhe 100 punonjës vendës të ndihmave ushqimore. Rreth 1.5 milionë sirianë vlerësohet se janë në nevojë urgjente për ushqime. Assad ka mbijetuar shumë më gjatë nga sa qe parashikuar 21 muaj më parë kur filloi kryengritja. Ai ende disponon avantazh ushtarak dhe mbështetje të pakompromis nga Irani. Analistët ushtarakë nuk mendojnë se rebelët janë në gjendje të pushtojnë Damaskun me forcë. Një analist politik i Rusisë me kontakte në Ministrinë e Jashtme tha se njerëzit e dërguar nga udhëheqësia ruse për të kontaktuar Assad dy javë më parë, përshkruan një njeri që ka humbur të gjitha shpresat për fitore apo arratisje.
“Ai ndien se në çdo rast, do të përfundojë i vrarë”, shkroi Fyodor Lukyanov, redaktor i revistës ruse për diplomacinë. Ai shtoi se vetëm një ndërhyrje energjike mund të bindë Assad se ai mundet që të mbijetojë fizikisht në rast se lë pushtetin.
“Nëse ai do të përpiqet të largohet, të dalë nga skena, ai do të vritet nga vetë njerëzit e tij”, tha Lukyanov, duke argumentuar se forcat e tij të sigurisë të dominuara nga sekti alevi nuk do ta lërë atë të largohet dhe t’i lërë të tjerët të përballen me hakmarrjen. “Nëse ai qëndron, atëherë do të vritet nga njerëzit e tij. Ai është në kurth. Nuk bëhet fjalë për Rusinë apo për ndonjë tjetër. Është për mbijetesën e tij fizike”.
Të marra së bashku, zhvillimet e ditëve të fundit tregojnë se pozicioni i regjimit të Sirisë po dobësohet shumë më shpejt nga sa është dobësuar në 20 muajt e fundit të marra së bashku.
Pas takimit në Stamboll të hënën, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe Kryeministri Recep Tayyip Erdogan i Turqisë, thanë se ata kanë rënë dakord për një përqasje të re për zgjidhjen e konfliktit.
“Ne as nuk po e mbrojmë regjimin e Sirisë dhe as po funksionojmë si avokatët e tyre, por mbetemi të shqetësuar për të ardhmen e Sirisë”. tha Putin në një konferencë të përbashkët për shtyp me Erdogan. Një zyrtar turk, duke folur në kushtet e anonimitetit shpjegoi më tej fjalët e Putinit, duke thënë se aktualisht po kërkohet një mënyrë për të rrëzuar Assad. “Përfundimisht ka një zbutje të qëndrimit të Rusisë”, tha zyrtari turk, por shtoi se Putin tha se Assad duket se nuk ka dëshirë të largohet në asnjë mënyrë. Dyshime ka edhe mbi faktin nëse Rusia mund të organizojë largimin e tij nga vendi. NYT