Në këtë periudhë të vështirë nga pandemia e koronavirusit, është hapur një debat i gjerë në lidhje me vaksinën AstraZeneca. Nëntë vende e kanë bllokuar aplikimin e saj, pasi dyshohet për efekte anësore.

Në Shqipëri kanë ardhur 38400 doza të kësaj vaksine dhe ka nisur menjëherë aplikimin te mësuesit. Kjo temë u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live”, ku në lidhje direkte nga SHBA ishte epidemiologia, Rudina Muzina.

Ajo u shpreh se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk është aprovuar kjo vaksinë, pasi nuk ka dhënë të dhënat e fazës së tretë klinike. Por Rudina shtoi se pritet aprovimi i kësaj vaksine.

“Në fillim fare ne pamë se AstraZeneca u aprovua në bazë të studimeve klinike në Mbretërinë e Bashkuar. E duke qenë se ka patur kampion më të vogël në fazën fillestare, nuk ka shumë raste. Gjithashtu AstraZeneca ka dalë me 3 deklarata të ndryshme, duke mos e bërë të sigurt. Fillimisht tha se me dy doza të plota ka një efikasitet 60%, më pas doli me tjetër deklaratë dhe në fund ta ka efikasitet 80 për qind”, tha Muzina.

“EMA deklaron: Tashmë ne nuk kemi asnjë të dhënë që këto shkaqe mjekësore janë të lidhura me vaksinimin, sepse nuk janë listuar si efekte anësore në fletën shoqërore të kompanisë”, tregoi ajo.