Deputetja Marjana Koçeku ka reaguar ditën e sotme duke komentuar fjalimin e mbajtur nga kryeministri Edi Rama në grupin parlamentar të PS dhe Qeverisë, ku deklaroi se jepte ‘besën” për qytetarët shqiptarë.
Teksa i bën një shpjegim leksikografik dhe etimologjik besës shqiptare, deputetja e pavarur që u largua javë më parë nga grupi i PS-së, shprehet se njerëzve që humbasin lidhjen me tokën dhe vendin e tyre nuk mund t’i zihet besë, duke nënkuptuar kreun e mazhorancës.
Postimi i plotë i Marjana Koçekut:
Flasin për besën njerëz që nuk ia kanë idenë ç’ka asht besa.
Së pari, besa asht nji kontratë e pashkrueme mes njerëzish, e tu qenë e pashkrume, ajo asht kontratë thellësisht natyrore. T’parët tanë nuk kanë qenë të mangët kur fjalën dhe besën e dhanë e lidhnin me tokën, lugun, malin e gurin. Këto nuk kanë qenë thjesht dekori i besës, por dëshmitarët e saj, vetë substanca e saj. E kanë ditë se njeriu nuk mundet me i dhanë besën tjetrit, t’ue ia pre besën vendit ku jeton.
Së dyti, ata që e shohin tokën veç si truall për kulla shumëkatëshe e resorte, zor se munden me e kuptu këtë koncept që për ne malësorët asht jashtë mase i shenjtë. Prandaj nuk e shesim ne tokën dhe kullën. Sigurisht, besa mund të jepet edhe nëpër kulla luksoze dhe resorte, por nuk asht më besë. Se për këtë lloj bese deri tash e kemi pa kryesisht veç nëpër filmat mafiozë dhe spekulantë financiarë. Dihet se si përfundojnë.
Së treti, unë e di mirë prej kodit të malësisë nga vij se, edhe kur gjaksit apo njerëzit e krimit, kur duen me i mbyllë problemet e tyne, përveç ligjit, kudo që ndodhen nëpër botë, edhe pse mund të kenë ndërtue kulla luksoze apo jetojnë në resorte, janë të detyruem me ardhë e me e lyp besën te kulla e vjetër e të parëve, te logu apo te kisha e vjetër e fshatit. Pse? Sepse aty asht lidhja e vjetër shpirtnore të cilën ata e kanë humbë. Vetëm aty kanë mundësinë me u kthy edhe nji herë njerëz. Prandaj, njerëzve që e humbin lidhjen me tokën, vendin e tyne dhe natyrën, nuk mund t’u zihet besë!



