Mijëra qytetarë, pasi u mblodhën para Kryeministrisë, kanë vijuar marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit në kuadër të ditës së 20-të të protestave.

Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje të forta kundër qeverisë, mes tyre “Rama jepe dorëheqjen” dhe slogani “Atdheu nuk është në shitje”, ndërsa protestuesit kanë theksuar vendosmërinë për të vazhduar mobilizimin.

Sipas pjesëmarrësve, pavarësisht kalimit të disa javëve nga nisja e protestave, pjesëmarrja mbetet e lartë dhe qytetarët vijojnë të dalin çdo ditë në shesh për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë së Edi Rama.

Protestat duket se nuk kanë humbur intensitetin, por po shndërrohen në një lëvizje të qëndrueshme qytetare që synon ndryshime politike në vend.

Protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë tubimet deri në realizimin e kërkesës së tyre kryesore: dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe të qeverisë së tij.