Dy shqiptarët janë qëlluar nga persona të maskuar, të cilët u arratisën me një motor


Dy shqiptarë janë qëlluar për vdekje mesnatën e së enjtes, me armë zjarri në Itali gjatë një atentati nga dy persona të paidentifikuar, të cilët lëviznin me motor. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në periferi të Milanos, kur dy viktimat shqiptare po lëviznin me biçikletë dhe mendohet se po ktheheshin në banesë. Viktimat janë identifikuar nga policia e shtetit fqinj, si Alban Medha, 27 vjeç dhe Ndue Bruka, 51 vjeç, përkatësisht nipi dhe daja, të cilët jetonin prej kohësh në Itali si klandestinë. Sipas autoriteteve, 27-vjeçari dhe 51-vjeçari janë persona me precedentë penalë dhe kanë pasur probleme të hershme me ligjin. Vrasja e tyre ndodhi rreth 300 metra larg stacionit policor, ku ekzekutorët, të cilët udhëtonin me motor dhe ishin maskuar me skafandra, kanë qëlluar me një pushkë gjysmë automatike. Pasi kanë kryer krimin, atentatorët janë larguar në drejtim të stacionit të trenit dhe më pas janë zhdukur në drejtim të paditur. Mësohet se vrasësit kanë qëlluar në drejtim të viktimave, të paktën gjashtë herë. Njëri prej tyre ka qenë ende gjallë, e për pasojë i është ofruar ndihma e shpejtë mjekësore, por pa rezultat, sepse pas pak minutash është ndarë nga jeta. Të shtënat e armëve kanë tërhequr vëmendjen e shumë njerëzve, të cilët kanë njoftuar policinë. Madje, në kohën që është kryer krimi, ka pasur mjaft dëshmitarë okularë, të cilët kanë dhënë versionet e tyre, për atë që kanë parë. Uniformat blu kanë dërguar në vendin e ngjarjes dy autoambulanca, por ka qenë e kotë. Trupat e pajetë janë dërguar në morg, për t’iu nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Sipas të dhënave të para, daja është qëlluar me plumb në kokë, ndërkohë që nipi ka marrë disa plumba në trup. Ndërkaq, autoritetet italiane kanë nisur punën për zbardhjen e ngjarjes. Paraprakisht, dyshohet se vrasjet janë kryer për larje hesapesh, por gjithsesi të gjitha pistat mbeten të hapura dhe policia ka shoqëruar disa të dyshuar. Hetuesit do të gërmojnë në jetët personale të dy viktimave për të kuptuar lidhjet që ata kanë pasur në të shkuarën dhe aktivitetet me të cilat merreshin. Policia ka kryer kontrolle edhe në banesat e tyre, për të gjetur prova që mund të çojnë në gjurmët e vrasësve. Sipas mediave italiane, dëshmitarët kanë deklaruar se dy atentatorët ishin me motor pa targa. Policia deklaroi se ka sekuestruar gëzhojat në vendngjarje, të cilat po analizohen nëse kanë ndonjë gjurmë gishti në to. S. Muça