Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri, të regjistruara mbrëmjen e së premtes në lagjen nr. 4 të Sarandës.
I plagosuri është identifikuar si Sander alias Thimjo Rubati, 50 vjeç, i cili u transportua me urgjencë në Spitalin e Sarandës. Sipas informacioneve paraprake, ai ndodhet në gjendje të rëndë dhe është futur në sallën e operacionit.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se dyshohet për një atentat të organizuar. Sipas të dhënave të para, 50-vjeçari është qëlluar nga persona që lëviznin me një motor.
Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Ndërkohë, janë blinduar hyrje-daljet e qytetit, ndërsa vijojnë kontrollet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
