Shtetasi Leonard Luzi, alias L. S., është ekstraduar nga Spanja dhe është dorëzuar autoriteteve shqiptare, pasi akuzohet për organizimin e një vrasjeje të dyfishtë në qytetin e Vlorës, krim i cili u parandalua falë ndërhyrjes së Policisë. Luzi, i cili është 47 vjeç dhe lindur në Vlorë, u arrestua gjatë operacionit të koduar “Rekrutuesi” dhe, pas ekstradimit, iu caktua masa e sigurisë “Arrest në burg” nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Ai është akuzuar për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Sipas hetimeve, Luzi, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit kriminal, kishte organizuar vrasjen e shtetasve Ervis Matodashaj dhe Inzez Hajrulla. Mirëpo, ky krim u parandalua nga Policia, pasi shtetasi Amarildo Nikolli, një tjetër i përfshirë në grup, u arrestua para se të realizonte vrasjet. Gjatë arrestimit të Nikollit, iu sekuestrua një pistoletë me fishek në fole, gati për përdorim.

Ekstradimi i Leonard Luzit është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe spanjolle në kuadër të marrëveshjes së ekstradimit.