Pas atentatit të rëndë në Rinas, ku u vra Gilmando Dani dhe pak ditë më vonë humbi jetën edhe shoqëruesi i tij, Muçi Shaljani, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ngjarja do të ishte zbardhur në kohë reale nëse sistemi i kamerave inteligjente do të ishte instaluar më herët.
Gjatë një takimi me qytetarët e Njësisë nr. 3 në Tiranë, Rama tha se projekti i monitorimit të rrugëve dhe lagjeve me kamera me Inteligjencë Artificiale është gati të nisë, pasi qeveria ka përfunduar të gjitha procedurat dhe ka marrë mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe, ku një sistem i tillë funksionon me sukses.
Kryeministri shpjegoi se kamerat inteligjente do të shërbejnë jo vetëm për rritjen e sigurisë publike, por edhe për monitorimin e pastërtisë, respektimin e rregullave dhe mbrojtjen e fëmijëve në shkolla. Ai theksoi se burokracitë institucionale kanë vonuar për muaj me radhë nisjen e instalimeve.
“Janë kamera që identifikojnë shkeljet në sekonda. Nëse sistemi do të ishte në funksion, ngjarja e Rinasit do të zbardhej menjëherë,” u shpreh Rama, duke shtuar se projekti pritet të hyjë në zbatim shumë shpejt.
