Një ngjarje tronditëse ka ndodhur pranë Rinasit, ku dyshohet se është kryer një atentat i mirëfilltë. Sipas informacioneve të para, një automjet me targa greke ka qëlluar me breshëri plumbash drejt një makine tjetër në rrethrrotullimin e Rinasit, duke shkaktuar viktima. Pas sulmit, mjeti i dyshuar është larguar menjëherë nga vendngjarja.

Viktima e atentatit është identifikuar si Gilmando Dani, një person i njohur për lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe miku i Emiljano Shullazit. Ndërsa i plagosuri bëhet me dije se është person me mbiemër Muça. Autoritetet kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë thyer xhamin e automjetit të viktimës për të nxjerrë trupin dhe të plagosurin. Gjithashtu mësohet se autorët menjëherë pas sulmit janë larguar drejt qytetit të Fushë-Krujës.

Burime të besueshme bëjnë me dije se ngjarja nuk ka qenë një konflikt i rastësishëm, por një atentat i planifikuar, çka e bën ngjarjen edhe më serioze. Forcat e policisë janë angazhuar në hetime të shpejta për të zbardhur të gjitha rrethanat e krimit dhe për të identifikuar autorët e mundshëm. Po ashtu, janë sekuestruar pamjet nga kamerat e sigurisë të zonës, të cilat mund të ndihmojnë në hetimin e ngjarjes.

Priten më shumë detaje për zbardhjen e motivit dhe identifikimin e autorëve të atentatit, ndërsa hetimet vijojnë për të ndihmuar në gjetjen e drejtësisë për viktimën.