Enea Busukja ka dhënë një dëshmi para oficerëve të Policisë së Shkodrës, pas atentatit me eksploziv që i’u krye një ditë më parë në lagjen “Ndoc Mazi” të qytetit. 38-vjeçari ka deklaruar se shpërthimi ndodhi menjëherë pasi ndezi automjetin e tij. Busukja, i cili e ka nisur dëshminë me fjalët “Nuk kam konflikte me askënd”, ka theksuar se nuk ka asnjë ide se kush mund të jetë përgjegjës për këtë ngjarje të rëndë dhe se nuk ka pasur asnjë arsye që të dyshonte për një sulm të mundshëm.

Pas shpërthimit, Policia e Shkodrës ka nisur hetimet dhe ka shoqëruar disa persona për t’i marrë në pyetje, por deri tani nuk ka asnjë informacion të saktë për autorët që kanë vendosur lëndën shpërthyese. Grupi hetimor ka sekuestruar prova të rëndësishme nga vendi i ngjarjes, ndërsa po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe akset hyrëse të qytetit për të zbuluar çdo detaj që mund të çojë në identifikimin e autorëve.

Hetuesit janë duke rindërtuar itinerarin e mundshëm të autorëve, të cilët dyshohet se janë larguar drejt fshatit Dragoç, ku u gjet e djegur makina e përdorur për atentatin. Mjeti është dërguar për ekzaminim të hollësishëm në laboratorin e Policisë së Shtetit, me shpresën se mund të gjenden gjurmë apo prova materiale që mund të ndihmojnë në zbardhjen e këtij atentati dhe identifikimin e personave përgjegjës.