Kjo është makina tip “Rover”, e kapur nga kamerat e sigurisë gjatë atentatit mafioz të ndodhur më 17 prill në Pllanë të Lezhës, ku mbeti i vrarë Gjovalin Prendi, babai i Sidorel Prendit, i njohur në rrethe të caktuara edhe si Roan Brahimi.
Pamjet filmike tregojnë një mjet ngjyrë blu, pa xhama të zinj, që dyshohet se është përdorur nga autorët për të kryer atentatin. Burime nga hetimi konfirmojnë se makina rezulton të jetë e vjedhur.
Mjeti u gjet i djegur në Fushë Gjormë, në orët e para të mëngjesit të 18 prillit, një ditë pas ngjarjes së rëndë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se makina është djegur me qëllim për të zhdukur gjurmët.
Hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit vazhdojnë, ndërkohë që autoritetet janë duke analizuar kamerat e sigurisë në zonë dhe provat e mbledhura në vendngjarje. Ende nuk ka persona të ndaluar për këtë ngjarje.