Gazeta italiane Il Tirreno i ka kushtuar një artikull atentatit ndaj gazetarit të njohur italian Sigfrido Ranucci, duke zbuluar disa detaje të reja për hetimet. Sipas artikullit, një sinjalizim anonim drejton gishtin drejt një klani shqiptar, ndërsa një ish-prokuror pretendon se njeh emrat e urdhëruesit dhe të dy personave që kanë vendosur bombën.

Hetimet për atentatin ndaj Ranuccit — drejtuesit të emisionit investigativ Report në Rai3 — janë përqendruar edhe në qytetin e Pratos. Ngjarja ndodhi më 16 tetor, kur një bombë u vendos nën makinën e gazetarit në Campo Ascolano, një lagje e Pomezias. Pajisja shpërtheu disa minuta pasi pranë kaloi vajza e tij, por fatmirësisht pa shkaktuar viktima.

Sipas Il Tirreno, emaili anonim, i dërguar një ditë pas atentatit në Prokurorinë Antimafia të Romës, u firmos nga dikush që pretendonte se ishte ish-prokuror shqiptar. Në këtë letër përmendet emri i biznesmenit shqiptar Artur Shehu, i cili jeton në Miami dhe dyshohet si drejtues i një klani të fuqishëm të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, të njohur si klani Osmani. Sinjalizuesi anonim pretendon se autorët e vendosjes së bombës janë pjesë e rrethit të Shehut dhe se klani ka lidhje të forta në Toskanë, veçanërisht në Prato.

Gazetari italian Giovanni Tizian, në gazetën Domani, ka raportuar se letra përmbante edhe emrat e dy autorëve të dyshuar, ndërsa më herët La Repubblica kishte shkruar se informacione për ngjarjen kishin mbërritur nga Shqipëria në Prokurorinë Antimafia të Romës. Megjithatë, hetuesit theksojnë se kjo mbetet vetëm një pistë që duhet verifikuar, pasi mund të jetë edhe një përpjekje për të devijuar hetimet.

Në artikull theksohet gjithashtu se personi që ka dërguar letrën anonime duket se ka njohuri të thella për botën kriminale shqiptare. Dy personat e përmendur ekzistojnë realisht, por emrat e tyre nuk janë bërë publikë dhe nuk janë përmendur më parë në media.

Emri i Artur Shehut ka dalë më herët gjatë një operacioni të Drejtorisë Antimafia dhe Karabinierëve në Prato, në shkurt të vitit 2022, kur u kontrollua një hotel i dyshuar për pastrim parash të ardhura nga trafiku i drogës. Në atë hetim u arrestuan 45 persona në disa vende të Evropës. Klani i lidhur me Shehun njihet si “Karteli i Sinaloas, dega e Vlorës”, pa lidhje me kartelin meksikan me të njëjtin emër.

Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse atentati ndaj Sigfrido Ranuccit lidhet me raportimet e Report mbi interesat e këtij karteli shqiptar në ndërtimin e qendrave për riatdhesim (CPR) që po ngrihen në Shqipëri pas marrëveshjes mes Romës dhe Tiranës.
Sipas sinjalizimit anonim, atentati nuk ishte vetëm një akt kundër Ranuccit, por një paralajmërim për të gjithë gazetarët investigativë që kanë trajtuar çështje të ndjeshme që lidhen me aktivitetet e Artur Shehut dhe klanit të tij.