Policia ka liruar 35-vjeçarinme iniciale B.Xh., i cili u shoqërua për t’u marrë në pyetje në lidhje me atentatin e ndodhur në Rinas më 11 nëntor, ku humbën jetën Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani. Sipas burimeve, B.Xh. është banor i fshatit Halil, ku u dogj makina “Toyota” e autorëve të dyshuar të atentatit.
Gjatë marrjes në pyetje, ai ka mohuar çdo lidhje me ngjarjen, duke deklaruar se në momentin e atentatit nuk ndodhej në shtëpi dhe nuk kishte parë asnjë lëvizje të dyshimtë. Shoqërimi i tij ka ardhur pasi më herët ai ka pasur një të kaluar kriminale, duke u dënuar për vjedhje me dhunë.
Megjithatë, deri tani policia nuk ka arritur të identifikojë autorët e atentatit, ndërkohë që hetimet vijojnë. Autoritetet janë duke shqyrtuar një sërë piste, duke përfshirë edhe mundësinë që personat e përfshirë të kenë pasur lidhje me grupe kriminale të tjera.
Për më tepër, gjatë hetimeve, ekspertiza ka vërtetuar se armët e gjetura në makinën e djegur të autorëve nuk janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale. Po ashtu, pas atentatit, hetuesit zbuluan një arsenal armësh në një banesë në fshatin Zall, pronë e Ylli Zallës, i cili është shpallur në kërkim. Disa dyshime janë ngritur për lidhjen e armëve me atentatin, por ekspertiza ka treguar se ato nuk ishin përdorur në ngjarjen e Rinasit.
Hetimet vazhdojnë, ndërkohë që për ngjarjen janë shprehur edhe dyshime të tjera që mund të çojnë në zbardhjen e plotë të atentatit dhe të autorëve të mundshëm.
