Hetuesit grekë po fokusohen te pista e një përplasjeje mes grupeve kriminale për sulmin me armë ndaj një lokali në Agios Panteleimona të Athinës, ku mbeti e plagosur një vajzë 10-vjeçare.

Të dhënat e deritanishme tregojnë se në atentat mund të kenë marrë pjesë katër persona. Ata dyshohet se përdorën një automjet të vjedhur disa ditë më parë në zonën e Vrilissias dhe, pasi mbërritën pranë lokalit, hapën zjarr në drejtim të tij.

Në vendngjarje janë konstatuar rreth 25 të shtëna me armë të tipit kallashnikov. Pas sulmit, autorët u larguan, ndërsa automjeti i përdorur prej tyre u gjet më vonë i djegur në Aspropyrgos. Brenda tij, autoritetet gjetën edhe armën që dyshohet se është përdorur gjatë atentatit.

Nga breshëria e plumbave mbeti e plagosur në këmbë një vajzë 10-vjeçare. E mitura është vajza e partneres së pronarit të lokalit, shqiptarit Denis Luli. Pas ngjarjes, fëmija u dërgua në spital nga nëna e saj.

Çështja është marrë në hetim nga strukturat greke kundër krimit të organizuar. Një prej pistave që po shqyrtohet është ajo e një konflikti mes grupeve rivale, potencialisht të lidhur me trafikun e lëndëve narkotike. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse ngjarja mund të ketë ndonjë lidhje me shqiptarin e burgosur Klodian Lekocaj.

Vëmendja e autoriteteve është përqendruar edhe te pronari i lokalit. Sipas mediave greke, Denis Luli ka pasur më herët probleme me drejtësinë. Në vitin 2016, emri i tij ishte përfshirë në një çështje që lidhej me një plantacion të madh kanabisi në Arta. Gjatë operacionit të policisë ai akuzohej se kishte qëlluar ndaj efektivëve dhe ishte larguar, ndërsa arrestimi i tij u bë i mundur rreth dy vite më vonë.

Në vitin 2021, Luli u lirua me kushte nga burgu i Malandrinos. Mes masave të vendosura ndaj tij ishin ndalimi për t’u larguar nga Greqia dhe detyrimi për t’u paraqitur periodikisht në komisariatin e Kypselit. Sipas raportimeve, ai ishte përfshirë më pas edhe në një tjetër çështje që lidhej me posedimin e një sasie të vogël droge.

Pavarësisht hetimeve për atentatin, Luli deri tani nuk ka dhënë informacione që mund të ndihmojnë autoritetet për identifikimin e autorëve apo motivin e sulmit.

Megjithatë, hetuesit po verifikojnë indicie se ai mund të kishte dyshime se ishte vënë në shënjestër. Sipas burimeve të cituara nga mediat greke, përpara atentatit ai dyshohet se i kishte kërkuar një punonjësi të lokalit që, nëse dikush paraqitej duke e kërkuar, t’i thoshte se nuk e kishte parë.

Autoritetet po punojnë tashmë për identifikimin e katër personave të dyshuar, ndërsa po analizohen provat e mbledhura nga automjeti i djegur, arma e sekuestruar dhe materiale të tjera që mund të ndihmojnë në rindërtimin e plotë të atentatit.