Policia vijon hetimet për zbardhjen e atentatit të ndodhur mbrëmjen e së hënës në lagjen “Vullnetari” në Elbasan, ku tre persona mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri brenda një lokali.

Mes të plagosurve është edhe 19-vjeçari Biorgi Hoxha, kamerier në lokal, i cili dyshohet se u godit aksidentalisht gjatë të shtënave. Dy personat e tjerë që mbetën të plagosur janë Armand Tomorrica dhe Renaldo Mance, të cilët, sipas dyshimeve paraprake, mund të kenë qenë objektivi i atentatit.

Në fazën e parë të hetimeve u dyshua se sulmi mund të kishte lidhje me një konflikt të mëparshëm dhe se autori kishte vepruar për motive hakmarrjeje. Megjithatë, kjo pistë është zbehur pas dëshmive të dhëna nga të plagosurit.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se të tre kanë deklaruar se nuk e njohin autorin e sulmit dhe se nuk kanë konflikte me persona të tjerë që mund të çonin në një ngjarje të tillë.

Përballë këtyre deklarimeve, hetuesit kanë zgjeruar verifikimet dhe po shqyrtojnë edhe mundësinë që atentatori të ketë gabuar objektivin, duke qëlluar ndaj personave të gabuar.

Ndërkohë, policia po merr në pyetje dëshmitarët okularë dhe klientët që ndodheshin në lokal në momentin e sulmit, ndërsa po analizohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorin dhe lëvizjet e tij para dhe pas ngjarjes.

Të tre të plagosurit kanë lënë spitalin, pasi ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autori i atentatit mbetet ende në arrati dhe vijon të kërkohet nga policia.