Ekspertët e policisë janë rikthyer sërish paraditen e kësaj të hëne në fshatin Rrilë të Lezhës, pranë vendit ku ndodhi atentati me armë zjarri mbrëmjen e së dielës, për të kryer hetime të mëtejshme.

Ata po mbledhin gjurmët e gjakut nga vendi i ngjarjes, ku do të bëhet analiza e ADN-së për të verifikuar nëse ka një person tjetër të plagosur, si dhe për të përcaktuar identitetin e tij.

Nga të shtënat e kryera, katër plumbat kanë prekur edhe dy biznese të tjera përballë berberhanes, por fatmirësisht, personat që ndodheshin brenda këtyre bizneseve kanë shpëtuar pa pasoja.

Hetimet për zbardhjen e ngjarjes janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet po përpiqen të sigurojnë prova për të zbuluar autorët dhe motivin e mundshëm të sulmit.