Policia e Fushë-Krujës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me gjetjen e mjetit më të cilin kanë lëvizur autorët e atentatit ndaj Gilmando Danit, pranë aeroportit të Rinasit pasditen e  sotme. Mësohet se automjet tip “Toyota”, është gjetur i djegur në fshatin Halil ku dhe janë konstatuar 4 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarjen e Rinasit.

Ngjarja ndodhi sot në aeroportin e Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe u plagos Muçi Shaljani (Sheqeri), agjent i AMP-së. Nga hetimet paraprake është zbuluar se autorët e kanë pritur para aeroportit dhe kanë lëvizur të dy makinat paralel me njëra-tjetrën. Aty nga makina autorët kanë qëlluar me breshëri plumbash. Mjeti “Benz” eci për disa metra dhe ndaloi nga të shtënat.

Në atë moment, një nga autorët, me kapele dhe i maskuar, del nga makina dhe afrohet duke qëlluar disa herë me pistoletë. Më pas, kthehet në makinë dhe largohen drejt Fushë-Krujës. Shaljari ka një plagë plumbi në kokë dhe gjendja e tij është kritike, teksa mjekët po bëjnë përpjekje për ta mbajtur në jetë.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, në fshatin Halil, kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip “Toyota”, që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur në Rinas.

Në automjet janë konstatuar 4 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje.

Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore.