Ngjarja e rëndë e atentatit në Dobraç të Shkodrës, ku humbën jetën Hamza Lici dhe Arlind Bushati, po hetohet me intensitet nga policia. Sipas burimeve Ergys Kavaja, grupi hetimor ka arritur në përfundimin se në mjetin tip “Benz” mund të ketë qenë edhe një person i tretë.

Dëshmitë e mbledhura nga vendngjarja tregojnë se brenda automjetit janë gjetur tre pistoleta, gjë që shton dyshimet se një person tjetër mund të ketë qenë i pranishëm në momentin e atentatit dhe ka arritur të largohet. Kjo e bën hetimin edhe më kompleks, duke ngritur pyetje mbi identitetin e këtij personi dhe rolin e tij në ngjarjen e rëndë.

Gjurmët e gjakut të gjetura në vendngjarje janë dërguar për ekspertim në laboratorin kriminalistik. Qëllimi i këtij ekzaminimi është të përcaktojë nëse gjurmët e gjakut i përkasin viktimave apo një personi të tretë, që mund të ketë qenë i involvuar në ngjarje.

Policia e Shkodrës po vazhdon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të atentatit dhe për të identifikuar çdo individ që mund të ketë pasur lidhje me këtë krim të rëndë.