Mbrëmjen e kaluar, një atentat tronditës ndodhi në Vlorë, ku objektivi ishte 30-vjeçari Kevin Hajrulla. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe Armand Spahiu, një 35-vjeçar i cili ndodhej pranë tezgës së tij të fruta-perimeve.
Spahiu ka marrë plagë në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, i shtruar në spitalin e Vlorës. Ndërkohë, Hajrulla, i cili ka pësuar plagë të rënda në trup nga breshëria e mbi 50 plumbave, është transportuar gjatë natës drejt spitalit të Traumës në gjendje kritike.
Detajet e ngjarjes
Sipas raportimeve, autorët e dyshuar kanë ndjekur Hajrullën, i cili po lëvizte me një makinë tip “Mercedes Benz”. Pas të shtënave, disa kalimtarë të rastit kanë dhënë ndihmën e parë, duke transportuar të plagosurit me urgjencë në spital.
Autorët kanë përdorur një makinë tip “KIA” me targa italiane, të cilën më pas e kanë djegur në fshatin Panaja për të zhdukur gjurmët. Brenda automjetit janë gjetur dy kallashnikovë, një në sediljen e pasagjerit dhe tjetri në pjesën e pasme të makinës, çka konfirmon praninë e tre autorëve: një shofer dhe dy qëllues.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve, ndërsa motivet e atentatit mbeten ende të paqarta.
