Vijon procesi gjyqësor ndaj Amar Shkëmbit dhe Bledar Polovinës, të akuzuar për përfshirje në atentatin e ndodhur te mbikalimi i Shkozetit, ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja. Gazetarja Anila Hoxha raporton se, sipas SPAK, Bledar Polovina ka qenë personi që ka qëlluar i dyti gjatë atentatit.

Në seancën gjyqësore, avokati mbrojtës Saimir Visha ka kërkuar shpalljen e pavlefshme dhe të papërdorshme të procesverbaleve të administruara në dosje. Sakaq Gjykata thotë se është shprehur njëherë gjatë seancës paraprake dhe e ka gjetur të pabazuar. Ndërkohë, Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për thirrjen dhe pyetjen si dëshmitar të ish-deputetit Halit Valteri, në procesin gjyqësor ndaj Amar Shkëmbit dhe Bledar Polovinës.

Dy të pandehurit akuzohen nga SPAK për përfshirje në atentatin e ndodhur në mbikalimin e Shkozetit, ku objektiv i sulmit ishte ish-prokurori Arjan Ndoj, teksa ai vetë mbeti i plagosur. Nga atentati humbi jetën Andi Maloku, i cili drejtonte automjetin dhe ishte shofer i ish-prokurorit, ndërsa Arjan Ndoj dhe Aleksandër Laho mbetën të plagosur.