Protesta të dhunshme kanë përfshirë ditën e sotme Athinën, në kuadër të një greve të përgjithshme të paralajmëruar. Policia ka reaguar ndaj turmës së dhunshme që hidhte shishe me Molotov, duke shpërndarë gaz lotsjellës në sheshin e madh ‘Sintagma’, që u përfshi nga flakë të shumta.


Gjatë protestës së sotme raportohet se ka humbur jetën për shkak të një infarkti një 66 vjeçar që ishte duke protestuar, ndërsa 4 persona të tjerë mësohet se kanë mbetur të plagosur në përleshjet me policinë, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë.


Sipas të dhënave të policisë helene, 25 mijë grekë, të pakënaqur nga masat shtrënguese të vëna nga Brukseli, kanë qenë të pranishëm në shesh gjatë manifestimit të sotëm, i cili është organizuar nga dy sindikata të mëdha në Greqi.


Greva e përgjithshme, e katërta që nga fillimi i vitit në këtë vend, ka bllokuar ndjeshëm shërbimet publike, duke qenë se janë stopuar të gjitha linjat e transportit, ai hekurudhor, aeroportet dhe lëvizja me tragete. Kësaj greve gjenerale i janë bashkuar edhe avokatë e gazetarët, duke krijuar veç të tjerave, edhe një terr informativ në vend.

18 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)