Në krye të institucionit të cilin SPAK e klasifikon si bashkëpunues me raportet audituese që i referon për hetime, Arben Shehu, kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, në një intervistë për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, thotë se auditime të tjera janë duke u bërë gati për t’ia dorëzuar akuzës. Lista e auditimeve që po kryhen nga KLSH është e gjatë.
Arben Shehu, kryetar i KLSH: “Jemi në proces verifikimi intensiv për asetet, duke iu referuar punës së Ministrisë së Energjisë dhe KESH, po auditojmë rrugën Thumanë-Fushë Krujë-Kashar, vendburimet e naftës, Drejtorinë e Burgjeve, vendshfrytëzimet e kromit, njëkohësisht auditimi po vazhdon për auditimin e HEC-eve, për mbështetjen bujqësore, sistemet fotovoltaike, kryerjen e analizave të biopsisë, monitorimin e substancave të rrezikshme. Më lejoni të citoj auditimin e përfunduar, si ai i kontratës së seteve kirurgjikale në Ministrinë e Shëndetësisë, të Shërbimit të Kontrollit Mjekësor Bazë dhe Korporatës së Investimeve Shqiptare, që kanë një rëndësi të veçantë. Në lidhje me bashkëpunimin institucional, puna jonë nuk përfundon me auditimin, por për rastet që vlerësohet se ka shkelje, i jemi drejtuar Prokurorisë, në mënyrë të veçantë SPAK”.
Dosjet që referohen prej KLSH në Prokurori mbeten sekret derisa ato finalizohen me të akuzuar, por edhe të tjerë që denoncohen për presion ndaj audituesve.
Arben Shehu: “Në drejtim të këtyre situatave jo normale do t’u drejtohemi institucioneve. Garantojmë se puna e institucionit nuk është cenuar nga çdo lloj presioni, të çdo forme”.
Anila Hoxha: “E keni fjalën për presione konkrete”?
Arben Shehu: “Patjetër që për presione konkrete, por kjo nuk do të ndikojë në punën e Kontrollit të Lartë të Shtetit”.
Top Channel
