BKH dhe policia kanë thirrur forcat zjarrfikëse për të hapur një kasafortë që ndodhet brenda “Monopol Lounge”, biznesi në pronësi të Aurel Hoxhës.

Dyshohet se brenda kësaj kasaforte mund të jetë para, dokumente dhe sende te tjera të jashtëligjshme që mund t’i shërbejnë grupit hetimor, pasi Aurel Hoxha raportohet se ka porositur vrasjen e Klevis Lleshit.

SPAK zbardhi pas pesë vitesh vrasjen e Klevis Lleshit, të riut nga Burreli që u zhduk në vitin 2020 dhe u gjet i groposur dy vite më vonë në një fshat të Kurbinit. Me urdhër të SPAK, janë zhvilluar kontrolle në disa zona, ndërsa janë lëshuar katër urdhër-arreste në kuadër të hetimeve.

Deri më tani janë arrestuar Sabah Nuzi dhe Samet Loka, të dy 31 vjeç, të cilët dyshohen se janë personat që kanë ekzekutuar dhe rroposur të riun në vitin 2020. Ndërkohë, në kërkim vijojnë të jenë Aurel Hoxha, dhe Sajmir Kolaveri, bashkëpunëtor në vrasje.