Një incident është shënuar paraditen e sotme në zonën e Zvërnecit, në rrugën “Sazani”, pranë Manastirit të Zvërnecit. Rreth orës 11:30, një autobus që transportonte nxënës për një vizitë në manastir ka hasur vështirësi në lëvizje për shkak të ngushtësisë së rrugës. Autobusi ishte në përpjekje për të kaluar një mjet tjetër të tonazhit të rëndë, kur ndodhi ngjarja.
Gjatë një tentative për t’u shkëmbyer me mjetin tjetër, autobusi ka dalë pjesërisht nga karrexhata dhe ka mbetur i bllokuar, duke krijuar probleme në qarkullimin e trafikut në atë pjesë të rrugës. Autoritetet lokale kanë shkuar në vendngjarje dhe janë angazhuar për të zgjidhur situatën.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, dhe për momentin po punohet intensivisht për nxjerrjen e autobusit nga zona e bllokuar. Autoritetet kanë siguruar se po bëhen përpjekje për të normalizuar qarkullimin dhe për të shmangur bllokimet e mëtejshme në rrugë.
