Qytetarët e Fierit janë bashkuar për të marrë pjesë në homazhet që do të zhvillohen në nder të ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano. Shumë prej tyre janë nisur herët në mëngjes drejt Tiranës për t’u bërë pjesë e ceremonisë në Pallatin e Kongreseve.
Për të lehtësuar udhëtimin, Bashkia Fier ka vënë në dispozicion disa autobusë për qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në nderimet për Nanon. Udhëtimi drejt kryeqytetit ka nisur në orën 07:00, me pjesëmarrje të konsiderueshme nga banorët e Fierit që duan të nderojnë figurën e një prej personaliteteve më të rëndësishme të politikës shqiptare.
